Tirana East Gate mbërrin në kryeqytet
“ManeTCI sh.p.k” (zotëruese e Qendrës Tregtare Univers) dhe e “Balfin Group”, prezanton projektin e tij të ndërtimit me vlerë prej rreth 50 milionë euro.
E pozicionuar në zonën e Saukut, tek ish-Kartodromi, me emrin “Tirana East Gate”, kjo qendër do të fillojë të ndërtohet në janar të vitit 2009 dhe pritet të hapë dyert në nëntor të vitit 2010. Sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 50,253 m2. Do të ketë dy kate për parkim të nëndheshëm e kombinuar me parkim të jashtëm, pra bëhet fjalë për sipërfaqe të mjaftueshme për rreth 1,643 automjetesh.
Luan Saliaj, administratori i përgjithshëm i “ManeTCI”, thotë se projekti do të jetë një shërbim i vërtet tregtar, me shumë funksione. Sipas tij, qendra tregtare e rrethuar me sipërfaqen e saj të gjelbër do t’u servirë klientëve një mundësi mjaft argëtuese me ushqim dhe pije. Në të do të ofrohen edhe shërbime sociale dhe argëtuese, si kompleks kinemaje apo edhe qendër sportive.
Sipas z.Saliaj, qendra do të ofrojë një shumëllojshmëri aktivitetesh. “Bazuar në eksperiencën tonë në QTU, ne kemi bërë mjaft përmirësime në projekte dhe dizenjime, që do të bëjnë të mundur një shërbim më të mirë dhe rrjedhimisht blerje dhe eksperiencë sociale më cilësore për publikun”, - thotë z.Saliaj.
Zona e “Saukut” është një zone banimi në rritje, me zhvillim potencial tregtar të konsiderueshëm për zonat e reja të juglindjes së Tiranës. Pritet të realizohet një aks më i mirë i qendrës tregtare e siguruar kjo nga rruga ekzistuese (e rinovuar kohët e fundit). Nga ana tjetër pritet ndërtimi i unazës së Tiranës rreth parkut të Liqenit Artificial, që do të bashkojë pjesën veriperëndimore të kryeqytetit me juglindjen, që përfundon shume afër qendrës tregtare. Në çdo rast, disa autobuzë që do të ofrohen falas do të jenë në shërbim të vizitorëve. Infrastruktura ekzistuese me pishinë të jashtme dhe me pistë makinash do të zëvendësohet me qendrën e re.
"Projekti ynë do të realizohet nga një rishikim i gjerë dhe social nga BERZH-i
(Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim), për të cilin është përfshirë edhe një raport përmbledhës në këtë publikim”, - tha z.Saliaj.
Gazeta "Koha Jonë" / Datë 5 Dhjetor 2008
Shqip
English