Qendër Gjigande në Lundër
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), synon të rrisë standardet dhe të nxisë konkurrencën në sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri, duke ofruar një hua prej 24 milion euro, për ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare në vend. Në një njoftim për shtyp, BERZH, ka bërë të ditur se kjo hua do të ndihmojë kompaninë "Tirana East Gate", (një prej kompanive kryesore në fushën e pasurive të patundshme në Shqipëri dhe pjesëtare e “Balkan Finance Ivestment Group” (Balfin)), për të zhvilluar dhe ndërtuar një qendër moderne tregtare dhe argëtimi. Kjo qendër do të ndërtohet në Lundër, në komunën e Farkës, 5 kilometra në juglindje të Tiranës. Qendra e re tregtare do të jetë qendra më e madhe e stilit perëndimor në Shqipëri, me një sipërfaqe dyqanesh prej 39,000 metra katrorë, si edhe vende parkimi për më shume se 1,600 makina. Duke iu përgjigjur kërkesës së madhe për qendra moderne tregtare, ky projekt do të nxisë konkurrencën dhe do të reklamojë standarde të cilësisë së lartë në sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri. Ndërtimi i kësaj qendre tregtare, do të krijojë mundësi të reja punësimi dhe do të ndihmojë në modernizimin e kësaj zone periferike të Tiranës. Sipas të dhënave, paketa e financimit nga BERZH me vlerë 24 milion euro, do të forcoj strukturën kapitale të projektit dhe do të mbështesë sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri, në këtë periudhë krize, kur financimi afatgjatë është i pakët. Drejtoresha e Departamentit të Pasurive të Patundshme dhe Turizmit pranë BERZH, Sylvia Gansser-Potts, tha se ky projekt vërteton se sektori i infrastrukturës tregtare në Shqipëri është i shëndetshëm dhe ka mundësi të përshtatet, për të përfshirë instrumente novatore financimi në tregun aktual, të vështirë të huadhënies. Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i “Balfin Group”, Samir Mane, vlerësoi angazhimin e BERZH-it ndaj projektit dhe kompanisë që ai drejton. "Jemi krenare që po vazhdojmë marrëdhënien tonë të suksesshme me bankën”. Të sigurosh financime në një kohë të vështirë për ekonominë është një sfidë e madhe. Tregu i shitjeve me pakicë është në hapat e para dhe ne jemi të kënaqur që do të sjellim për konsumatorin shqiptar gjithnjë e më shumë produkte të reja, -tha z. Mane.
Prej fillimit të aktivitetit në Shqipëri, në vitin 1992, BERZH-i ka investuar rreth 450 milionë euro në më shumë se 30 projekte në sektorët e infrastrukturës, korporatave private, energjisë dhe në sektorin financiar. Investimet e kësaj banke janë plotësuar me investime shtese prej 945 milionë euro.
Të dhënat e projektit
Qendra e re tregtare, do të jetë qendra më e madhe e stilit perëndimor në Shqipëri.
Ka një sipërfaqe për dyqan prej 39,000 metra katrorë, si edhe vende parkimi për më shumë se 1,600 makina.
Paketa e financimit nga BERZH me vlerë 24 milionë euro, do të forcoj strukturën kapitale të projektit dhe do të mbështesë sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri.
Prej fillimit te aktivitetit në Shqipëri, BERZH-i ka investuar rreth 450 milionë euro, në më shumë se 30 projekte në sektorin e infrastrukturës dhe korporatave private.
Gazeta "Koha Jonë" Dt. 16 Qershor 2009
Shqip
English